“Parimi i Flokartës” ose si të bësh zgjedhjen e duhur për karrierën tënde
Kur para një viti zhvillova në një vizitë studimore në Letoni , u mrekullova me një ndërtesë dy katëshe plot dritë, ndanë një lumi, në palcën e një parku të mahnitshëm. Ishte biblioteka universitare e Valmieras, një qytezë me 25 mijë banorë, me një universitet modern dhe një bibliotekë të jashtëzakonshme (jo në gjendje të jashtëzakonshme). Por arsyeja që më bëri t’i kthehem atij vendi ishte një kënd krijuar enkas për fëmijët e qytezës. Ngjyra, mozaikë, libra… frymëzim!
Në fakt, seksionet e librave për fëmijë, me dizajnin dhe dijen që përcjellin personazhet super të thjeshtë, janë vend ankorimi i mirë edhe për të rritur. Ndër personazhet e mi të parapëlqyer janë arushi Uini dhe Flokarta (nga përallat “Uini Puh” dhe “Flokarta dhe tre arinjtë”). Në rrëfenja të tilla përshkruhen “koncentratet” më të shëndetshme të së vërtetave.
Ndoshta e mbani mend historinë e Flokartës, që gjen një shtëpi në pyll dhe e uritur nis të provojë tasin me qull shtruar mbi tryezë. I pari ishte shumë i nxehtë, i dyti shumë shumë i ftohtë. “Hmmm, qenka fiks siç e dua unë”, tha e buzëqeshur vesh më vesh Flokarta kur provoi tasin e tretë. Ju njoh me “Parimin e Flokartës”.
Në shkencat konjitive dhe psikologjinë e zhvillimit, “Parimi i Flokartës” njihet si parapëlqimi për të marrë pjesë në ngjarje, që nuk janë as shumë të thjeshta dhe as shumë komplekse, në përputhje me kuptimin tonë për botën.
Ky parim gjen zbatim edhe në botën profesionale. Mund t’ua përngjasojmë lehtësisht atyre që nuk e gjejnë veten në karrierën që po bëhen gati të nisin/ që duan ta ndryshojnë. Këta njerëz mund të kenë aftësitë e duhura, por mendësia e tyre nuk është ende gati për të hedhur hapin e radhës. Bash ky çast mbart një rrezik të madh, por edhe një mundësi të madhe.
Ermonela Jaho është sopranoja jonë me famë botërore. Por siç e pohon thjeshtësisht ajo, kur interpreton në operat e Puçinit e Verdit, nuk duhet të jetë gati veç zëri, por edhe qëndrimi, mendësia. Roli i Violeta Valerisë (te “La Traviata” e Verdit) ishte i duhuri për Ermonelën dhe po ashtu ishte edhe ajo për të. Ermonela ishte e suksesshme sepse ai rol nuk ishte as shumë i vogël, as shumë i madh. Roli i Violeta Valerisë ishte i duhuri për të.
Edhe në jetën tonë profesionale ka zgjedhje që janë thjesht “të duhurat”. Ne jemi gati për to dhe ato janë gati për ne. Por si të dimë se kemi bërë zgjedhjen e duhur? Siç këshillon me mençuri arushi Uini “mendo, mendo, mendo”.